post

Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Mesinës

Në datën 14 prill 2015 u mbyll procedura juridike-ligjore që pati si konkluzion nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis Universitetit Reald Vlorë dhe Universitetit prestigjoz të Messinës (Itali). Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi, e konsideruar strategjike për Universitetin Reald, fillon një rrugë e zhvillimit të brendshëm, por edhe ndërkombëtar e kërkuar me shumë dëshirë nga organet drejtuese të Universitetit Reald dhe në mënyrë të veçantë nga presidenti Serrik Muskaj, i cili  gjeti gatishmërinë e Shkëlqesisë së Tij Rektorit të Universitetit të Messinës Prof.dr. Pietro Navarra. Universiteti i Mesinës karakterizohet nga cilësia e lartë e kërkimit shkencor dhe e mësimdhënies, me një histori të gjatë që daton qysh nga viti 1548, i themeluar nga Papa Paolo III. Ky universitet qysh në kohën e themelimit të tij dhe deri më sot është kthyer në një vend të privilegjuar  për shkëmbimet mes kulturave të ndryshme. Ofron mjaft programe studimi, veçanërisht ato që do t’u interesojnë studentëve të Universitetit Reald janë degët e shkencave ekonomike, të farmacisë, mjekësisë klinike dhe eksperimentale, stomatologjisë, shkencave të patologjive njerëzore, shkencave pediatrike, gjinekologjike, mikrobiologjisë si dhe një shumëllojshmëri programesh të tjera studimi edhe në shkencat shoqërore. Përveç këtyre ofron dhe mundësi mjaft të mëdha për  praktika të cilat i afrojnë studentët me tregun e punës.

Messina është një qytet në jug të Italisë  i themeluar nga grekët antikë, falë pozitës  gjeografike të favorshme në qendër të Mesdheut është një vend ku takohen kultura të ndryshme. Tradita e saj kozmopolite është përdorur në funksion të Universitetit të Messinës, në sajë të mundësive të shumta të ofruara nga programet ndërkombëtare në të cilat është pjesëmarrës dhe njëkohësisht iniciator. Pasioni për kërkimin shkencor dhe në fakt mbi bazën e shumë marrëveshjeve me universitete nga e gjithë bota, i ka mundësuar Universitetit të Messinës që të promovojë, të mbajë  dhe të zhvillojë  raporte të bashkëpunimit me universitete të huaja aq sa procesi i ndërkombëtarizimit është kthyer në një aspekt strategjik në fushën e kërkimit shkencor, mësimdhënies dhe të lëvizshmërisë së docentëve, punonjësve shkencorë dhe studentëve sipas Traktatit të Lisbonës. Ky është një përkushtim ndaj ndërkombëtarizimit që është vendimtar për këdo që do të kultivojë një kulturë pa kufij. Të dhëna më të hollësishme rreth Universitetit të Messinës gjenden në linkun e mëposhtëm: http://www.unime.it/. Kjo marrëveshje bashkëpunimi ka në konsideratë interesin e të dyja palëve, si të Universitetit Reald dhe Universitetit të Messinës dhe të programeve të përbashkëta të studimit për të nisur  bashkëpunimin kulturor, shkencor  dhe didaktik në fushat  me  interes të përbashkët shkencor si dhe faktin që shumëllojshmëria kulturore është  më tepër  një nxitje sesa një pengesë përsa i përket bashkëpunimit dhe risive në nivel ndërkombëtar. Marrëveshja e  realizuar ka lejuar paraqitjen e kërkesave për konkurset e ndryshme europiane,  ndër të cilat dhe  Erasmus Plus të programit 2014-2020 për t’u mundësuar studentëve, stafit akademik  dhe personelit administrativ të kryejnë për një kohë të caktuar studime, kërkime, mësimdhënie  të përbashkëta dhe trajnim  nëpërmjet metodave më të mira pranë Universitetit të Mesinës në fusha të ndryshme të shkencës. Gjithashtu në fokus është dhe realizimi i projekteve të kërkimit shkencor me interes të përbashkët, ndërrmarja e iniciativave të përbashkëta si konferenca, seminare dhe leksione.